bim.org.mk

Home Aktualitete Fjalimi i Kryetarit të BFI-së në promovim të Organizatës Humanitare HILAL

Fjalimi i Kryetarit të BFI-së në promovim të Organizatës Humanitare HILAL

 

Mysafirë të nderuar
Zonja e zotërinj
 
Do të ju përshëndes me  shprehjen me  unikate, më universale  për të gjithë pjesëtarët e islamit  “ selamu alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu”
Mirëserdhët në këtë promovim të Organizatës Humanitare HILAL 
 
Bashkësia Fetare Islame  në Kushtetutën e saj,  si parim kryesore i ka  vënë vetes për obligim  që të pengojë dhe zbutë vuajtjen njerëzore kudo qoftë, të mbrojë jetën dhe shëndetin, të sigurojë respekt dhe dinjitet për qenien njerëzore, të punojë për avancimin e mirëqenies shëndetësore dhe sociale të njerëzve, të nxitë angazhimin vullnetar dhe gatishmërinë e përhershme për dhënien e ndihmës si ndjenjë universale për solidaritet dhe humanizëm.
 
Humanizmi, mysafirë të nderuar,  është dashuria ndaj të tjerëve dhe veçori e karakterit të mirë. Myslimani i vërtetë doemos duhet ta ketë të zhvilluar ndjenjën e humanizmit ndaj njerëzve.
 
Për këtë na porosit edhe Allahu xh.sh. kur thotë 
 
“All-llahu urdhëron drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmeve, ndërsa ndalon imoralitetin, atë që është e neveritshme dhe dhunën” (En-Nahël, 90)
 
Duke u bazuar në këtë porosi të Allahut xh.sh, BFI-ja ditë më parë,  themeloi Organizatën Humanitare HILAL , ku  segmenti më i  rëndësishëm i kësaj organizate do të jetë  realizimi i aktiviteteve socialo-humanitare.
Do të kontribuon për përmirësimin e sigurisë sociale të qytetareve posaçërisht të personave të cilët nën ndikimin e disa faktorëve të pavolitshëm të jashtëm kanë nevojë për ndihmë për tejkalimin e problemeve me të cilat ballafaqohen.
 
Jo se BFI-ja deri më tani aspak nuk ka qenë e zgjuar për aspektin humanitarë. Përkundrazi.  BFI-ja e Republikës së Maqedonisë që me pavarësimin e saj, parimin e humanizmit ka pas si parim themelor dhe ka zhvilluar një aktivitet të ngjeshur , që çdo organizatë tjetër humanitare do ta kishte pas zilinë. 
 
Që në vitin 1990, Rijaseti i BFI-së morri vendim për themelimin e Organizatës Humanitare EL Hilal, organizatë e cila jo vetëm që ndihmoi skamnorët dhe nevojtarët gjatë gjithë dekadës së parë të saj por bëri bujë me angazhimin e saj të madh gjatë konfliktit në Bosnjë dhe konfliktit Kosovë-Serbi, posaçërisht gjatë valës së refugjatëve  këtu në Maqedoni,  dhe falë angazhimit të strukturës së saj arriti që të strehoj qindra mijë vëllezër mysliman që i ikën bishës së egër serbe.
 
BFI-ja së bashku me EL HILAL themeloi dhe revistën e parë shqipe në Maqedoni HILAL,  e cila  ishte një dritare e hapur për të gjitha hallet e komunitetit islam në vend. Në atë periudhë BFI-ja dha kontributin e saj të pa luhatur edhe në themelimin e Universitetit të Tetovës dhe objektin vakëf më të mirë, ia dha për shfrytëzim Rektoratit të këtij Universiteti ndërsa një numër i madh mektebesh u shndërruan në fakultete të po këtij universiteti , ndërsa financoi edhe Revistën e parë studentore “STUDENTI” 
 
BFI-ja  gjithmonë promovon mirëkuptim, miqësi, bashkëpunim dhe paqe të përhershme në mes të gjithë njerëzve, por në historikun e saj shpesh ka ditë të tradhtohet nga persona që më së shumti ju ka besuar. 
 
Një tradhti të tillë të pa falshme e ka ndjerë edhe më Organizatën Humanitare EL HILAL, ku personat që i emëroi në udhëheqësin e saj, duke u udhëhequr nga vetëdëshira personale për më shumë pushtet, përfitimi personal, mallverzimet dhe gënjeshtrat bënë që Organizata humanitare EL HILAL , e cila nën ombrellën e BFI-së aq shumë i ndihmoi kësaj shoqërie pa dallim feje dhe etnie , të privatizohet dhe ta shkëpusin nga BFI-ja. 
 
Këto persona që dhunshëm vodhën EL HILALIN shkelën edhe mbi parimet islame , shkelën edhe mbi porosinë e Profetit të fundit të Zotit – Muhammedit a.s. i cili kërkon që të jemi  të mëshirshëm ndaj njëri-tjetrit.
 
Profeti thotë:
Ju jeni vëllezër e motra në mes vete. Mbështeteni njëri-tjetrin sikurse tullat dhe ashtu mbajeni të fortë ndërtesën e bashkësisë suaj.
Dhe duke e marrë si amanet këtë porosi të pejgamberrit,  ne themeluam kësaj radhë Organizatën Humanitare HILAL me qëllim që të kthejmë humanizmin në mesin tonë dhe të vazhdojmë aty ku mbetëm. 
Gjene, ardhmëria e njerëzimit është në maksimën: “Beso Zotin dhe bëj vepra të mira”. Qëllimi më i lartë i njeriut është që shpirtin e tij vazhdimisht ta furnizojë me mendime fisnike, me dashuri të thellë për çdo gjë që është e mirë dhe me synime dhe pasione të përhershme për vepra të dobishme. Përndryshe, do të humbasë qëllimi i lartë dhe kuptimi fisnik i jetës. Këtë e ka dëshmuar historia njerëzore, ndërsa e ka paralajmëruar vazhdimisht madhështia e fjalëve Kur’anore:
“Pasha kohën. Njeriu është dhe do të jetë në humbje të sigurt. Përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, si dhe atyre që reciprokisht obligohen për drejtësi dhe durim”. ( Asr.  1-3).
 
Eselam u Alejkum 
Shkup, më 06.07.2010